Pacolli-Serbisë: Para e pas taksës, s’do të bëhemi shkaktar i zhgënjimit të SHBA

Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar këtë të mërkurë se Kosova ka marrëdhënie të përhershme dhe të natyrshme me SHBA-të dhe perëndimin.
Pacolli përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se Serbia kurrë nuk do të kthehet në pykë mes lidhjes sonë të pashkëputshme me SHBA-në dhe perëndimin.
“Ngutja dhe turri i përfaqësuesve të Serbisë, që deklarohen e ri-deklarohen për taksen edhe sot, ka si cak marrëdhëniet tona me SHBA-të. Kosova ka marrëdhënie të përhershëm dhe të natyrshme me SHBA-të dhe perëndimin. Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA dhe perëndimin përcaktojnë, natyrën e karakterit të identitetit tonë shtetëror. Serbisë i themi, para dhe pas pavarësisë, para dhe pas ushtrisë, para dhe pas taksës, me apo pa Marrëveshje gjithëpërfshirës se, ne kurrë nuk do ta bëhemi shkaktar i zhgënjimit të SHBA-ve, e perëndimit dhe shkaktar të gëzimit tuaj eventual mbi diçka të tillë. Serbia kurrë nuk do të kthehet në pykë mes lidhjes sonë të pashkëputshme me SHBA-të dhe perëndimin. Ne kemi partner të përhershëm, të qëndrueshëm e të natyrshëm dhe pa interesa egoiste”.




