Në kulmin e debateve për listat e hapura dhe koalicionet, Agron Duka deklaron se Partia Agrare Ambientaliste mund të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme.

 

Duke folur në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, aleati i demokratëve thotë se të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe partitë e tjera të opozitës.

 

 

AGRON DUKA

KREU I PARTISE AGRARE AMBJENTALISTE

 

“Në këtë klimë politike me pabesi të vazhdueshme është e vështirë të japësh deklarata që të jenë konsistente. Unë kam thënë që do të garoj vetëm me këtë lloj formule që u aprovua nga marrëveshja e 5 qershorit dhe u hodh poshtë nga kryeministri. Në këto kushte, duhet të mendohemi. Nuk mund të jap një përgjigje të saktë tani. Për mua do të ishte shumë herë më mirë nëse do të garonim me kandidatët tnaë dhe të marrë fund kjo që ne jemi parazitë të partive të tjera. Gjithkush të provojë sesa ka forcë”, tha ai për “Vizion Plus”. 

 

Zërat për një bashkëpunim me socialistët, Duka i quan spekulime, por shprehet se nëse do ketë një ofertë, ajo duhet të jetë publike.

 

“Nuk më pëlqen të bëj këtë lloj muhabeti sepse shpesh kam dëgjuar për këto teori konspirative. Ai që ka ofertë, e bën publikisht. Unë nuk kam dhënë shkas që të bëjnë ofertë të tillë. Nuk është problemi je apo jo i kënaqur me opozitën, nuk ke si të jesh i kënaqur kur je në opozitë sepse njeriu kur hyn në politikë, hyn në synimin për të ardhur në pushtet. Ajo që të krijon pakënaqësi dhe nervozizëm është pabesia dhe ndryshimi i rregullave të lojës herë pas here në interes të një partie politike.”

 

 

Mazhoranca duket e vendosur për të votuar javën tjetër kodin e ri zgjedhor sipas draftit që socialistët kanë depozituar tashmë në Kuvend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *