(Pa) Drejtësitë e sistemit bonus malus. Eksperti: Kam 33 vite eksperiencë por nuk mi llogarit njeri
Fatmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore e ka kundërshtuar skemën që po aplikohet për sistemin bonus malus. Sipas tij kjo skemë nuk është e duhura, edhe pse ky sistem është një praktikë europiane.
Një nga debatet lidhet me faktin se pavarësisht se sa vite eksperience ke në drejtimin e mjetit, për të përllogaritur policën e sigurimit do të merret për bazë vetëm viti 2025. Kjo sipas ekspertit është e pakuptimtë.
“Unë kam leje drejtimi që në vitin 1993. Deri më sot nuk i kam shkaktuar asnjë dëm as vetes dhe as ndonjë kompanie sigurimi. Me këtë skemë sistemi bonus –malus unë barazohem me një shofer që ka marrë patentën në vitin 2024. Kjo është e padrejtë. Kur vlerësojmë sjelljen e një shoferi duhet të shohim të gjithë historikun e tij. Pra unë dhe cilido si puna ime që ka sjellje të mirë për vite me radhë duhet të merrte një “medalje prej teneqeje” pra një bonus më të madh, në raport me shoferët e tjerë”, tha Hasho në emisionin E-ZONE.
Një tjetër pikëpyetje që shoqëron sistemin bonus malus është edhe fakti që nuk ka një diferencim të llojit të dëmit.
“Nëse një shofer ka kryer një aksident me vdekje, ndërsa një tjetër ka kryer një thyerje të një pasqyre, si do të trajtohen në përllogaritjen e policës së sigurimit? Sipas kësaj skeme të dy shoferët konsiderohet se kanë kryer një dëm dhe trajtohen njësoj”, tha Hasho.




