Ligji elektoral shihet ende me skepticizëm nga aktorët ndërkombëtarë, ndaj kërkojnë bisedime për reformën zgjedhore.Në një tryezë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ambasadori i osbe në Tiranë, Michel Tarran i bëri thirrje palëve politike në kuvend që të nisin me punën për të adresuar të gjitha rekomandimet e ODIHR.
“Rekomandimet e ODIHR janë për të përmirësuar ligjin e zgjedhjeve, dhe këtu inkurajojmë punën e komisionit për reformën zgjedhore. Shpresojmë shpejt të fillojë punën e tij. Puna e tij është shumë e rëndësishme, sepse ka disa probleme të lidhura me ligjin zgjedhor që sipas nesh nuk është akoma aty ku duhet të jetë. Ky është rekomandim i vazhdueshëm i misionit të ODIHR” , tha Michel Tarran, ambasador i OSBE në Tiranë
Ndonëse theksoi se OSBE nuk përfshihet sa i përket debatit politik diplomati apeloi që mesazhi i tij ti shkojë partive.
“Më duket se kësaj here mesazhin e ODIHR e kanë lexuar dhe partitë politike. Sa i përket debatit politik, ne nuk përfshihemi. Por të gjitha partitë politike janë dakord që ligji zgjedhor duhet të ndryshojë. Do të ndihmojmë për të punuar në këtë drejtim”, shtoi Terran.
Kryekomisioneri Ilirian Celiashi sqaroi se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka propozuar më herët një sërë rekomandimesh për Kuvendin, si depolitizimi i administratës dhe komisionerëve apo edhe lehtësimi i procesit të zgjedhjeve për qytetarët./vizionplus.tv





