Diplomatët Luigi Soreca dhe Yuri Kim zhvilluan një takim këtë të mërkurë me kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi. Prezenca e OSBE njofton se e njohu Celibashin me administrimin e zgjedhjeve të 25 prillit, përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme dhe nevojat e KQZ-së për asistencë.

 

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Vincenzo Del Monaco, ashtu edhe Celibashi mirëpritën gatishmërinë e partive politike për të filluar reformën zgjedhore dhe theksuan rëndësinë e një përfundimi të shpejtë të saj për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

 

Reagimi:

Prezenca e OSBE-së do të bashkërendojë asistencën e komunitetit ndërkombëtar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 dhe fillimit të diskutimeve për një reformë të re zgjedhore, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco, organizoi sot një takim të ambasadorëve të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar asistencën për çështjet zgjedhore.

Prezenca ftoi në takim Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili i njohu të pranishmit me administrimin e zgjedhjeve të 25 prillit, përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme dhe nevojat e KQZ-së për asistencë. Ai falënderoi OSBE-në dhe ndërkombëtarët e tjerë për mbështetjen e tyre, duke e quajtur këtë një faktor kyç për performancën e suksesshme të KQZ-së me gjithë afatet shumë të shkurtra. Celibashi shtoi se, edhe pse mangësitë në procesin zgjedhor nuk munguan, për herë të parë partitë politike nuk adresuan asnjë kritikë ndaj punës së KQZ-së.

Si Celibashi ashtu edhe Del Monaco mirëpritën gatishmërinë e partive politike për të filluar reformën zgjedhore dhe theksuan rëndësinë e një përfundimi të shpejtë të saj për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Pjesëmarrësit e lavdëruan KQZ-në për përgatitjen dhe menaxhimin profesional të zgjedhjeve në kohë të shkurtër dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar të mbështetin përpjekjet e KQZ-së për përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore. Gjithashtu, ata nxitën Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, partitë politike dhe aktorët e tjerë zgjedhorë për ta përdorur vrullin e tanishëm për të filluar shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Ambasadori Del Monaco e mirëpriti sugjerimin e Celibashit, të mbështetur edhe nga pjesëmarrësit e tjerë, që Prezenca e OSBE-së të bashkërendojë ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për KQZ-në.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *