Edhe pse pranoi se nga takimi me kryetarin e Kuvendit kishte marrë garanci për një proces legjitim parlamentar për miratimin e reformës në drejtësi, kryetari demokrat Lulzim Basha, u deklarua i prerë se nuk lëviz nga kushti për garantimin e balancimit politik të institucioneve të drejtësisë. Basha theksoi se opozita mbështet dhe do të votojë pa mëdyshje reformën në drejtësi, bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias. Sipas tij, ky institucion ka ofruar formulën, e cila ka pasur edhe bekimin e EURALUIS dhe OPDAT dhe që garanton moskapjen e drejtësisë. Lideri i opozitës perifrazoi edhe një herë kërkesën për votimin dhe numërimin elektronik, që do garantonin në 2017 zgjedhje të lira dhe të ndershme. Takimi mes dy ish-aleatëve deri në fillim prillin e viti 2013, nuk ofroi formulë konsensusi politik, por garanci procedurale. E nisur nga ky fakt, kryedemokrati në fund uroi që kryetari i Kuvendit të ngrihet në pritshmërinë e qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar.