Partia Demokratike pritet të mbyllë këto ditë bisedimet me partitë opozitare për të gjetur një kandidat të përbashkët në betejën për Bashkinë e Tiranës. Ndër emrat e diskutuar deri më tani në takimet mes PD dhe partive opozitare janë Florian Hackaj, themelues i shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Edlira Çepani, aktiviste për të drejtat e njeriut, dhe politologu Ermal Hasimja.
Megjithatë, këta nuk janë të vetmit kandidatë dhe burime pranë Partisë Demokratike, që është partia më e madhe e opozitës, bëjnë me dije se po shqyrtohen edhe disa kandidatë të tjerë. Duket se deri tani PD ka arritur konsensus në parim, përtej aleatëve tradicionalë, edhe me partinë Mundësia.
“Kemi dakordësuar që na duhet një kandidaturë e unifikuar e spektrit opozitar. Të gjitha forcat politike kanë një konsensus për të dalë me një emër që mund të përballet me kandidaten që simbolizon COVID-in dhe vdekjen”, tha Belind Këlliçi, Deputet, PD
“Ne mendojmë që kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tirana dhe me emrin me integritet, një model i kundërt me Manastirliun. Një njeri profesionist, publik, që i ka vërtet shanset.”, shprehet Erald Kapri, Deputet, “Mundësia”
Por duket se koha nuk është në favor të Partisë Demokratike dhe opozitës. Nëse Presidenti i Republikës dekreton brenda këtyre orëve datën e zgjedhjeve të pjesshme për 6 bashkitë e vendit, atëherë pritet që brenda javës Partia Demokratike të mbledhë forumet, të shqyrtojë kandidatët, t’i diskutojë ata edhe me aleatët dhe të nisë fushatën elektorale.
/vizionplus.tv





