Subscribe

Revolta e studentëve që solli rrëzimin e diktaturës komuniste në 8 dhjetorin e vitit 1990 është nderuar sot nga demokratët, të cilët  festojnë bashkë me rënien e komunizmit dhe momentin që solli  krijimin e Partisë Demokratike si partia e parë në Shqipërinë pluraliste.

 

Ndër protagonistët e atyre ditëve i vetmi në krah të Sali Berishës ishte Besnik Mustafaj, i cili bëri apel për ta kujtuar 8 dhjetorin në të gjithë dimensionin e tij

 

“Përpjekja që është bërë në mënyrë sistematike nga struktura siç është PS për ta njollosur 8,9,10,11, 12 dhjetorin për ta përvetësuar për të hedhur dyshime mbi atë histori të madhe të shkruar nga studentët. Ne duhet të gjejmë mënyrën dhe të kemi vullnetin për ta pastruar këtë baltë të pisët që hedh mbi historinë e PD makina e stërmadhe e sigurimit të shtetit dhe Partisë së Punës.”tha Besnik Mustafaj.

 

Besnik Mustafaj së bashku me Sali Berishën iu bashkuan studentëve një ditë më vonë, në 9 dhjetor

 

”Kjo lëvizje ishte tërësisht lëvizje revoltë e frymëzuar nga idealet e të rinjve studentë shqiptarë. Nuk kishte një parti, nuk kishte një organizatë që i thirri ata, apo i organizoi ata. Ata dolën ballë për ballë me diktaturën falë guximit të tyre epik, dolën ballë për ballë me diktaturën për idealet e tyre të lirisë, të cilën ata nuk e njihnin.”, tha Sali Berisha.

 

Kur kanë kaluar më shumë se 3 dekada nga rrëzimi i regjimit  komunist,  lideri historik i PD Sali Berisha hoqi paralele mes diktatorit Hoxha dhe kryeministrit Edi Rama, duke komentuar  edhe mbledhjen e kongresit socialist në përvjetorin e lëvizjes studentore.

 

“Ne përjetojmë një diktaturë të re, një diktaturë shkatërrimtare, jo vetëm për vlerat e demokracisë, por për kombin në tërësi. Sot, Edi Rama mblidhet se mendon se na impresionon. Mblidhet me 8 dhjetor. Ai mblidhet në mendësinë e të atit të tij dhe dajës së tij xhelat”, shtoi Berisha

 

Berisha u ka bërë apel të rinjve ti bashkohen opozitës e të ngrihen për të ndryshuar realitetin në Shqipëri

 

“Na përket ne, i përket PD të marrë çdo vendim, të bëjë çdo përpjekje për të organizuar shqiptarët në një betejë pa kthim, në një mosbindje civile pa kthim, gjer në përmbysjen e këtij regjimi antishqiptar, antidemokratik.”, tha Berisha

 

Të hënën demokratët do të festojnë 11 dhjetorin, themelimin  e PD , një parti që sot numëron vitin e 10 në opozite dhe është më e përçarë se asnjëherë më parë në 3 dekadat e ekzistencës së saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *