Opozita jashtëparlamentare kërkoi që Këshilli Politik të mblidhet sërish të premten në orën 17.00 për të vijuar diskutimet.
Veçse këtë herë opozitarët u dukën disi më të tërhequr kur thanë se janë gati të diskutojnë për çdo gjë që ka lidhje me zgjedhjet, duke mos përjashtuar këtu as ndryshimet kushtetuese.
Opozita publikoi emailin ku ja kërkon socialistit Damian Gjiknurit diçka të tillë.
“Duke ndjekur deklarimin tuaj publik dhe të Kryetarit të Partisë Socialiste, shprehim keqardhjen tonë për dezinformimin e opinionit publik në lidhje me qëndrimin e opozitës në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik. Ne nuk kemi refuzuar të diskutojmë asnjë çështje. Opozita ka kërkuar, që çdo çështje që lidhet me zgjedhjen, të diskutohet dhe shqyrtohet në Këshill. Në vijim edhe të deklarimit tuaj të pavëretë sot në media, kërkojmë mbledhjen e Këshillit Politik nesër, ora 17:00, për të vijuar dialogun, për çdo çështje, por pa cenuar marrëveshjen e 5 Qershorit.”
Damian Gjiknuri u kundërpërgjigj. Po në email, ai vuri në dukje ndryshimin e qëndrimit të opozitës.
Po ashtu, ai akuzoi se PD-LSI tani po bëjnë politikë me këtë çështje ngaqë u mungon Parlamenti.
“E kuptoj nevojën tuaj të motivuar politikisht për të nisur letra pune në formë deklaratash politike për qëllime mediatike. Por unë nuk kam dizinformuar askënd dhe thjesht kam thënë të vërtetën e mbledhjes si gjithmonë. Takime që siç i gjithë opinioni publik e di, bëhen me rekorde dhe nën vëzhgimin nga afër të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Jo më larg se dje keni refuzuar të vini në Këshillin Politik, pikërisht sepse siç e keni shprehur edhe publikisht nuk donit të diskutonit për temën e ndryshimeve kushtetuese, që sipas jush jo thjesht cënon marrëveshjen por as nuk ekziston si temë. Nga emaili juaj i fundit, nënkuptohet se keni reflektuar dhe keni ndryshuar qëndrim ndërsa shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave. Do të ju lutesha shumë që t’i lini mënjanë paragjykimet dhe opinionet propagandistike. Vërtetë ju mungon foltorja e Parlamentit prej ku u larguat me vullnetin tuaj të lirë, por e-mailet e punës dhe tryeza e punës së Këshillit nuk janë mjete propagandistike.”
Mbledhjen e radhës të Këshillit Politik Gjiknuri e kushtëzoi me propozimet që kërkoi nga ana e opozitës për këtë çështje.