Kryeministri Rama ka prezantuar krijimin e operatorit kombëtar të ujit, ndërsa tha se është koha për një strukturë të re me fokus menaxhimin e të gjitha burimeve ujore në vend.
“Kemi pasur një trashëgimi dramatike në sektorin e ujit që kërkon investime… fragmentimi në emrin e decentralizimit i sistemit të shpërndarjes në 58 ndërmarrje ishte katastrofë.”
Për të gjithë ata që kanë abuzuar me shpërdorim ose lidhje të paligjshme të ujit, do të ketë një plan masash ndëshkuese.
“Përsa i përket reformës, jemi shumë të qartë çfarë do të bëjmë. Nga prodhimi tek shpërndarja, njëlloj siç bëmë me energjinë. Në radhë të parë abuzues me qëllim fitimi – lavazhe, ujë që derdhet rrugëve.”
Edhe heqja e depozitave nga pallatet ishte një nga pikat e paralajmëruara në takim.
“Kjo është koha për të filluar dhe punën me planin e heqjes së depozitave që janë kthyer në pesha…”
Rama nuk la pa kritikuar bashkitë, që nuk kanë bërë mjaftueshëm për të ndëshkuar ata që vjedhin ujin.
“Vija e kuqe që fatkeqësisht bashkitë s’e vendosin asnjëherë mes atij që paguan dhe atij që vjedh ujin. Ai që paguan ka të drejtën të vendosë kujen pse nuk e merr ujin. Një gjë është të mos e paguash, dhe një gjë ta vjedhësh.”
Ndërsa ministrja Balluku, e pranishme në takim, siguroi qytetarët se nuk do të ketë rritje të çmimit të ujit.
“Të gjithë dalin dhe thonë se qeveria do të rrisë çmimin e ujit, por nuk është e vërtetë. Do të sigurohet mbrojtje më e fortë për burimet ujore. Do të ketë edhe një përshpejtim të zhvillimit teknologjik. Flasim për sigurinë e produktit që shpërndahet në çdo shtëpi. Ne do të kemi edhe një njësi të dedikuar, pjesë e operatorit të prodhimit të ujit, e ngritur mbi kërkimin dhe teknologjinë. Nuk do të jetë e nevojshme që të kemi ndryshime ligjore.”
Duke sjellë në vëmendje menaxhimin e ujësjellësit të Vlorës, Rama tha se borxhet e akumuluara nga ndërmarrje të administruara me papërgjegjshmëri ekstreme në vitin 2020 arritën në 13.6 miliardë lekë.
/vizionplus.tv





