Nisma e iniciuar dhe e njohur deri më tani si Shengeni Ballkanik, është zyrtarizuar këtë të enjte në Shkup me emrin Ballkani i Hapur përmes nënshkrimit të disa marrëveshjeve mes Kryeministrit shqiptar Edi Rama, atij maqedonas Zoran Zaev dhe Presidenti të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

 

I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, politologu Adri Nurellari u shpreh se këtë nismë e sheh si një strategji për të vënë para përgjësisë Bashkimin Evropian.

 

“Unë po e shikoj këtë si një strategji të Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit për të vënë BE-në para një përgjegjësie morale, për ti bërë një presion moral. Për ti thënë që ‘ne bashkëpunimin rajonal e bëjmë edhe pa ju’. Për të treguar që nuk ka nevojë Bashkimi Evropian me na nxit neve, se ne kemi vullnetin e mirë vetë. Kështu e shikoj, si një nismë për ti bërë presion BE-së, kur atje ka një euroskepticizëm të vërtetë dhe ka një shpërfillje ndaj zgjerimit në kushtet kur ka probleme të brendshme.”

 

Mungesa e Kosovës në projektin që tashmë quhet “Ballkani i hapur” nuk mbeti pa u komentuar në thuajse të gjitha takimet mes krerëve të qeverive nismëtare. Megjithatë, Prishtina zyrtare vijon ta kundërshtojë bashkëpunimin rajonal në këto baza, duke thënë se është pa vizion për rajonin.

 

Lidhur me këto deklarata dhe mospraninë e Kosovës, Nurellari bën me faj kryeministrin Kurti të cilin e quajti të papërgjegjshëm.

 

“Është papërgjegjshmëri. Ai ka bërë edhe deklarata të tjera më të rënda kundër partnerëve ndërkombëtarë edhe në qoftë se vazhdon tu përmbahet atyre me të vërtetë rrezikon edhe interesin strategjik dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Kështu që është pritur, ashtu siç ka bërë dhe me të tjera çështje, që tashmë i ka kapërdirë ato që ka pështyrë për një kohë të gjatë. Është pritur dhe që do tregohet institucional dhe do përpiqet në brazdat e një burrë-shtetasi ku kërkohet në mënyrë të veçantë vazhdimësia.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *