Numri i personave që po humbasin jetën nga koronavirusi është rritur në mënyrë dramatike. 242 vdekje nga virusi kinez u regjistruan në provincën Hubei vetëm të mërkurën, cilësuar si dita më vdekjeprurëse që nga shpërthimi i epidemisë.

Numri total i viktimave ka shkuar mbi 1.350 persona. Ka pasur gjithashtu një rritje të madhe të të infektuarve, me 14.840 njerëz të diagnostikuar me virus. Autoritetet kineze deklaruan dy ditë më parë se rastet e reja ishin në rënie dhe situata po stabilizohej, por personat e sapoinfektuar e kanë çuar numrin total të të sëmurëve në 60,000.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se është ende shumë herët për të parashikuar fundin e epidemisë. Katër vaksina të mundshme po financohen, u tha gazetarëve Shefja i Shkencës së OBSH-së, Soumya Swaminathan.

 

“Unë mendoj se do të gjejmë një vaksinë,” tha ajo. “Do të duhet ca kohë. Një vaksinë nuk mund të bëhet brenda natës.”

 

Ndërkohë frika e përhapjes në mbarë botën mbetet në nivele të larta. Një anije që transportonte më shumë se 2,000 njerëz, është vendosur në Kamboxhia,  pasi u largua nga disa porte nga frika e infektimit me koronavirus. Japonia, Tajvani, Filipinet dhe Tajlanda nuk kishin pranuar pavarësisht se nuk kishin pacientë të sëmurë në bord.

 

Ndërkohë, 44 raste të tjera janë konfirmuar në anijen Princess Diamond, e cila ndodhet në karantinë në Yokohama në Japoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *