Kryeministri Rama ishte i pranishëm në aktivitetin Rijetëzimi i “Sheshit Nënë Tereza” me një oaz të gjelbër kushtuar librit dhe një hapësirë dedikuar publikut. Rama tha se ky projekt i mirëmenduar dhe cilësor në aspektin arkitekturor do të bëhet realitet. Projekti, tha Rama, do të realizohet brenda një kohe të shkurtër dhe fokusi do të jetë te fëmijët. Duke cituar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili prej dy ditësh ndodhet në paraburgim me urdhër të SPAK, Rama tha se ditët më të mira për Tiranën janë përpara.
Sipas shefit të qeverisë, kryeqyteti shqiptar do të jetë një qytet model në rajon dhe Evropë.
Rama: Është e rëndësishme që projekti është tërësisht i disponueshëm për tu bërë i lëvizshëm. Nuk është një ndërtim me një impakt mbi strukturën e sheshit, por është një instalim miqësor me mjedisin dhe njerëzit që në çdo moment mund të spostohet diku tjetër. Në një fazë tjetër, sheshi do duhet të hyjë te zinxhiri i projekteve të mëdha për parkimet nëntokësor.
Projekti për të cilin jemi këtu sot, besoj do të realizohet në një kohë të shkrutër dhe njerëzit do të kenë mundësi të shijojnë një ambient të veçantë, ku fokusi do të jenë fëmijët por edhe të tjerët. Atraksioni do të jetë në funksion të fëmijëve. Tirana do të jetë kryeqyteti më i jashtëzakonshëm i rajonit dhe një ndër qytetet më tërheqës të Evropës. Këtë e them me bindje të plotë. Do të kenë një aryse të fortë për të ardhur dhe për ta vizituar.
Nëse në Bilbao, që ishte një qytet i zymtë, një qytet me një problematikë të rëndë të zhvillimit ekonomik dhe social, një veprër solli një impakt që ka hyrë në fjalorin e të gjithë atyre që merren me këto punë si “efekti Bilbao”, këtu efekti i asaj që po ndërtohet dhe që po projektohet patjetër që do të hyjë në historinë e këtij vendi dhe do të mbetet për një kohë të gjatë. Siç thotë Erion Veliaj që e ka mësuar nga unë “ditët më të mira janë përpara”.





