Subscribe

Konsumatorët shqiptarë po përballen me një valë tjetër të shtrenjtimit të çmimeve për produktet e shportës. Gjatë ditëve të fundit, në dyqane dhe markete pothuajse për çdo produkt bazë është aplikuar një rritje çmimi që varion nga 10 deri në 30 lekë.

 

Rritjen më të madhe e ka pësuar vaji, me 30 lekë, ndërsa për paketimet e vogla të miellit, makaronat dhe orizin çmimi është rritur me 20 lekë.

 

Në grupin e produkteve që sot qytetarët paguajnë më shtrenjtë janë edhe qumështi e nënproduktet e tij, i cili kushton 10 lekë më shumë. Të njëjtën rritje ka pësuar edhe një kilogram mishi, ndërsa valës së shtrenjtimit nuk i kanë shpëtuar as vezët.

 

Ekspertët thonë se sot shqiptarët e kanë më të vështirë për të përballuar kostot e jetesës dhe se gjysma e pagës së tyre shpenzohet vetëm për produktet e shportës.

 

“Kur çmimet rriten, përballimi i kostove të jetesës bëhet edhe më e vështirë. Të dhënat e INSTAT thonë se mbi 40% të shpenzimeve shkojnë për shportën e mallrave të ushqimit, kur inflacioni rritet edhe më shumë, madhësia e kësaj përqindjeje rritet edhe më shumë dhe vështirësia e përballimit për qytetarët do të jetë më e madhe.”

 

Megjithatë, ndonëse edhe në tregjet e huaja flitet për rritje çmimesh, ndikuar edhe nga lufta në Ukrainë, ekspertët thonë se tregu shqiptar karakterizohet edhe nga abuzimi, ndaj i bëhet thirrje qeverisë që të marrë masa në këtë drejtim.

 

“Frenimi i abuzimit sepse në momente paniku, paqartësie, abuzimi është një element i dukshëm në tregun shqiptar.”

 

Një ditë më parë në tregun tonë u reflektua një rritje me pesë lekë e çmimit të karburanteve. Sipas ekspertëve, është e pamundur të flasësh se kur mund të përfundojë trendi rritës, për shkak edhe të luftës në Ukrainë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *