Autoritetet norvegjeze kanë njoftuar se kanë liruar një ish-anëtar të rangut të lartë të grupit paraushtarak rus Wagner, i cili kërkoi azil pasi kishte hyrë ilegalisht në vend. Drejtoria Norvegjeze e Emigracionit (UDI) njoftoi të martën, më 24 janar, se rusi Andrey Medvedev “është arrestuar në bazë të Aktit të Emigracionit dhe është në pritje të një vendimi për paraburgimin”. Jon Andreas Johansen i Policisë Norvegjeze të Emigracionit, tha më 25 janar se Medvedev u lirua nga qendra e paraburgimit, sepse siç tha ai, nuk kishte më asnjë arsye për ndalimin e tij.

 

 

Medvedev, i cili thotë se ka frikë për jetën e tij nëse kthehet në Rusi, në fillim të këtij muaji kaloi në Norvegji, e cila ndan një kufi prej 198 kilometrash me Rusinë. Ai u transferua menjëherë në Oslo, gjë që është procedurë e zakonshme për azilkërkuesit, raporton Associated Press (AP). Vladimir Osechkin nga grupi disident rus Gulagu.net, i cili ndihmoi Medvedevin të arratisej, tha se ai ishte në një shtëpi të sigurt derisa u transferua pa shpjegime në paraburgimin e imigracionit. Avokati i tij norvegjez i tha sot gazetës norvegjeze Dagbladet se lirimi i Medvedevit ishte një “vendim i arsyeshëm”. “Unë ende nuk e di se çfarë marrëveshje do të ketë me të”, tha avokati për gazetën.

 

 

Medvedev tha se ai ishte nën zjarrin rus përpara se të kalonte në këtë shtet skandinav. Policia norvegjeze tha se ishte informuar nga rojet kufitare ruse për gjurmët në dëborë që tregojnë se dikush mund të ketë kaluar kufirin ilegalisht. Shërbimi hetimor kombëtar i Norvegjisë, i cili merr pjesë në hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë, njoftoi se po merr në pyetje Medvedevin, i cili “ka statusin e dëshmitarit”.

 

Pretendohet se ai i ka thënë grupit rus të të drejtave të njeriut se ishte gati të tregonte gjithçka që dinte për grupin Wagner, aktivitetet e tij dhe pronarin e tij, Yevgeny Prigozhin, i cili është i afërt me Kremlinin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *