Sot u përkujtua 1-vjetori i ndarjes nga jeta i gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare.
Në këtë përvjetor, u vu në pah jo vetëm trashëgimia letrare, por edhe roli i shkrimtarit në formësimin e identitetit kulturor shqiptar.
Helena Kadare kujtoi bashkëjetesën me Ismailin, një figurë që, siç e quan ajo, “ishte gjithmonë i lidhur me fjalën dhe letërsinë, deri në fund”.
“Kur bëhet fjalë për Kadarenë unë jam e ndjeshme për fjalët. E ngriti metaforën në nivelin e frymëmarrjes. Historia jonë ka qenë lufta për të jetuar. Ashtu siç mbijetoi shqiptari e Shqipëria mbijetoi Kadare”, thotë Helena.
Eruditi i letërsisë shqipe u përkujtua edhe nga të afërm e kolegë që i kishte bashkëudhëtarë në jetë.
Një vit pas ikjes, krijimtaria e tij vijon të lexohet, interpretohet dhe të diskutohet. Për shumëkënd, kjo është mënyra më e qëndrueshme për të mbajtur gjallë një autor.
Kadare mbetet një nga figurat me ndikim të letrave shqipe, që shkon përtej kufijve gjuhësorë dhe kohorë.
Ismail Kadare u shua në 1 korrik të vitit 2024, në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar letrare./vizionplus.tv





