Një gjykatë në Prishtinë dënoi të enjten ish ministrin e pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviç, me një vit heqje lirie, nën akuzën për “nxitje të urrejtjes”, dhjetë muaj pasi Gjykata e Lartë e Kosovës anuloi dënimin e parë të vitit 2019 dhe e ktheu çështjen në rigjykim.

 

Ish ministri serb u shpall fajtor për shkak të komenteve të tij të viti 2019 me ç’rast e kishte cilësuar “trillim” masakrën e janarit të vitit 1999 në fshatin Reçak të Shtimes.

 

Por, gjykata e dënoi me një vit heqje lirie, një vit më pak sesa ishte dënuar në dhjetor të vitit 2019.

 

Ish ministri në muajin mars të vitit 2019 tha se “masakra e Reçakut ishte trillim”, në një manifestim që përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s që i dhanë fund luftës në Kosovë.

 

Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga ish kryeministri Ramush Haradinaj.

 

Dënimi nxiti reagime në Beograd, përfaqësuesit e të cilit e cilësuan si mohim të lirisë së shprehjes.

 

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimes, në jug të Prishtinës. Ata hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre. Të nesërmen, ish drejtues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat, rrëzë një kodre dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe.

 

Ngjarja shënoi fillimin e një fushate diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.

 

Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *