Ministrja Manastirliu ka inspektuar punimet që kanë filluar për rikonstruksionin e godinës 3-katëshe të sëmundjeve të brendshme dhe ndërtimit të urës lidhëse me korpusin qendror në Spitalin Universitar të Traumës.

 

“Ky investim që po bëhet, jep akoma më shumë zgjerim përsa i përket edhe aspekteve të shërbimeve të ndryshme që ofron ky spital, përpos atyre të traumës. Sëmundjet e brendshme nga pikëpamja edhe të organizmit spitalor duhet që të rrisim kapacitetet. Kështu që këto investime dhe janë investime me të vërtetë radikale, do të synojnë të përmirësojnë shërbimet ndaj pacientit. Dhe sigurisht në planin tonë spitalor i japin Spitalit Universitar të Traumës një yll tjetër në cilësinë e shërbimeve që ai ofron, në kombinim me të gjithë zinxhirin e spitaleve tona”, tha Manastirliu
Gjatë inspektimit të punimeve Manastirliu tha se ka një vrull të shtuar të investimeve në spitalet universitare të Tiranës.

 

“Nga pesë spitale që ka Tirana, në katër prej tyre po vijojnë investimet. Do të vijojmë me buxhetin 2022 duke hapur kantiere të reja, duke rehabilituar spitalin Infektiv, për ta formatuar në një qendër me të vërtetë ekselence për sëmundjet infektive. Me gjithë punën që ata janë duke bërë, meritojnë që të kenë kushte akoma më të mira të infrastrukturës dhe të spitaleve. Do të vijojmë me rehabilitimin dhe riorganizimin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Në kuadër të programit të nënës dhe fëmijës, do të vijojnë investimet për maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’, spitalin pediatrik Elbasan, maternitetin dhe spitalin rajonal në Kukës”, tha Manastirliu.

 

Ministrja e Shëndetësisë ka parë nga afër një tjetër investim të rëndësishëm për spitalin e Traumës, fillimi i shërbimit në laboratorin e ri, një investim që po shtrihet në 18 spitale në të gjithë vendin.

 

“Ky është me të vërtetë investimi i duhur jo vetëm për spitalin e Traumës por për të gjithë spitalet univeritare, rajonale dhe spitalet bashkiake ku po apikohet. Aktualisht kemi të shtrirë këtë shërbim në 14 spitale ku ka filluar funksionimin ky partneritet, që me të vërtetë po sjell rezultate shumë pozitive në ecurinë e shërbimeve spitalore dhe brenda muajve të ardhshëm, ne do kemi shtrirjen edhe në 4 spitalet e mbetura, për të përfunduar dhe për të vijuar me ecurinë dhe me rritjen e gamës së analizave”, tha Manastirliu.

 

Shërbimi laboratorik përmes Partneritetit Publik Privat është shtrirë në 14 spitale universitare, rajonale dhe bashkiake, ndërkohë që pritet të shtrihet edhe në 4 spitale të tjera në muajt në vijim. Gama e analizave që ofrohen trefishohet, deri në 164 lloje analizash.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.