Subscribe

“Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Kryezot i Arbërit” është premiera botërore që do të ngrejë siparin nesër në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. E bazuar mbi veprën e Fan Nolit, figura e Skënderbeut vjen nën interpretimin e Gerald Murrjës dhe Artur Verës.

 

Shfaqja është e konceptuar në dy akte dhe ka një strukturë të operës dramatike, ku rrëfehet jeta përmes arieve në shqip dhe meshave solemne në latinisht.

 

GERALD MURRJA

 

TENOR

 

“Skënderbeu që e nis Arturi ka dy arie mjaft të rëndësishme. Më pas jam unë ai i riu që mendon për luftërat, që motivon të gjithë trimat që e kanë rrethuar. Dhe shpresoj të japim më të mirën dhe pse jo të vendosim një gur në këtë teatër dhe në këtë vepër.”

 

 

ARTUR VERA

 

BARITON

 

“Është e vështirë, është një qasje tjetër, një opera moderne që kërkon punë në perceptim dhe në frazë. Është një përgjegjësi e madhe që na është besuar dhe që do na duhet ta justifikojmë me punë dhe me nivelin që kërkon kjo vepër.”

 

 

Opera e kompozuar nga Vasil Tole vjen me synim për të rikthyer traditën e operës dhe baletit shqip, i cili prej më shumë se 30 vjetësh është lënë në harresë.

 

VASIL TOLE

 

KOMPOZITOR

 

“Arsyeja pse ka kaq pak vepra, që llogariteni në 30 vjet janë diku te 3 vepra shqip është sepse mungon ajo që unë e quaj mercenarizëm shtetëror. Pra duhet që shteti për vepra që kërkojnë impenjime të tilla të ketë planifikime. Duhet të kemi progres dhe në disa elemente të caktuara muzikore siç janë këto gjinitë e mëdha si opera apo baleti.”

 

Shfaqja do të vihet në skenë më datë 9 maj, me rastin edhe të 555-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Ajo bën bashkë orkestrën simfonike dhe korin e operës së Tiranës dhe atij të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *