Zyra e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji për babanë e 13-vjeçarit që vrau tetë nxënës dhe një roje në shkollën fillore “Vladisllav Ribnikar” në Vraçar më 3 maj.

 

Zyra e Prokurorisë tha më 5 maj se babai i nxënësit të klasës së shtatë, u mor në pyetje pasi ai, i identifikuar me inicialet V.K, u akuzua për “akte serioze kundër sigurisë së përgjithshme”.

 

Siç ishte njoftuar paraprakisht “Zyra e Prokurorisë do t’i propozojë gjykatës që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit, në mënyrë që të mos ketë ndikim te dëshmitarët dhe që të mos e përsëris veprën brenda një kohe të shkurtër dhe për shkak të ankthit të shkaktuar te publiku”.

Prokuroria tha se babai i 13-vjeçarit “gjatë seancës mohoi se ka kryer krimin” dhe se “paraqiti në detaje mbrojtjen e tij”.

 

“Dyshohet se V.K ka trajnuar djalin e tij për të përdorur armët e zjarrit dhe municionet duke e marrë me vete në shoqatën e qitësve për të ushtruar që të gjuajë me armë zjarri, pavarësisht faktit se ai është 13 vjeç dhe aktivitete dhe trajnime të tilla nuk janë të përshtatshme për moshën e tij”, tha Prokuroria në Beograd.

 

Sapo arriti në shkollë, nxënësi i dyshuar, i identifikuar me inicialet K.K, nxori armët e zjarrit nga çanta e tij dhe qëlloi rojën e shkollës, më pas nxënësit dhe mësuesin e historisë, tha më 3 maj Ministria serbe e Punëve të Brendshme.

 

Pas arrestimit, Ministria e Brendshme njoftoi se nxënësi kishte përdorur dy pistoleta për ta kryer sulmin dhe se armët i kishte marrë nga babai i tij.

 

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, babai i nxënësit u arrestua. Ministri i Brendshëm, Bratisllav Gashiq, tha se të dyja armët ishin me leje.

 

Në njoftimin e Zyrës së Prokurorisë Publike u tha se i dyshuari “nuk kishte siguruar kushte për ruajtjen e sigurt të armëve dhe municioneve që ato të binin në duart e personave të paautorizuar, gjegjësisht që armët të ishin të mbyllura në kasafortë apo në ndonjë vend që nuk do të hapej lehtë”.

 

“Dyshohet se si rezultat i veprimeve të tij, më 3 maj djali i tij arriti të merrte në posedim dy pistoleta, që V.K ka leje për to, të cilat nuk ishin ruajtur në mënyrë të sigurt”, u tha në njoftim.

 

Sipas Prokurorisë, “fëmija mori armët dhe municionet në shkollë, ku ai shtiu me to dhe mori jetën e rojës së sigurisë dhe tetë nxënësve dhe plagosi rëndë gjashtë nxënës dhe një mësues”.

 

Prokuroria tha se sulmuesi i dyshuar “nuk ka përgjegjësi penale sipas ligjeve në fuqi, sepse ai është nën 14 vjeç” dhe se ai “është vendosur nën mbikëqyrje në një spital psikiatrik për fëmijë dhe të rinj”./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *