Subscribe

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj priti në një takim nënkryetarin me origjinë shqiptare të Këshillit të Komunës së Potencës në Itali Antonio Vigilante.

 

Gjatë bisedës u diskutua për rritjen e bashkëpunimit mes dy qyteteve, por edhe për krijimin e një kalendari të përbashkët aktivitetesh me arbëreshët e Italisë.

 

“Do të doja shumë që në 100 vjetorin e Tiranës si kryeqytet i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i Shqipërisë, të fillonim punën për një kalendar të përbashkët, ku me miqtë tanë arbëreshë të kemi mundësi të tregojmë se vërtet mund të kemi qenë fizikisht të ndarë, por shpirtërisht dhe kulturalisht jemi gjithmonë pranë.”

 

Gjithashtu në këtë takim u fol dhe për krijimin në Tiranë te një shtëpie muze kushtuar arbëreshëve.

 

“Një ide e shkëlqyer është gjetja e një shtëpie muze për arbëreshët, që të përfaqësojë mbi 30 komuna, të cilat më shumë sforco dhe me shumë entuziazëm mbajnë gjallë kulturën tonë. Le ta kemi edhe këtu një shtëpi të tyre, edhe si një kujtesë të përditshme të gjymtyrëve tona që janë në anën tjetër të Adriatikut.”

 

Ndërsa Vigilante nga ana e tij vlerësoi ndryshimin e madh që ka pësuar Tirana dhe Shqipëria në vitet e fundit, sidomos në aspektin e shtimit të hapësirave të gjelbra.

 

“Duke qenë se vij nga Italia dhe kam origjinë shqiptare kam pasur mundësi të shoh disa ‘sekuenca’ të Shqipërisë. Vihet re një dëshirë e madhe për emancipim, ndaj përgëzoj komunitetin shqiptar, i cili në pak vite ka nxjerrë në pah idenë e zhvillimit të territorit dhe po ashtu idenë e riorganizimit sipas parametrave europiane. Shoh një qasje drejt hapësirave të gjelbra, ku mund të pedalohet, gjë e cila është për t’u përshëndetur. Të gjitha këto janë elementë që kanë një ndikim të rëndësishëm dhe konkret në cilësinë e jetës së qytetarëve.”

 

Vigilante shtoi se vitet e fundit Shqipëri ka arritur të ofrojë një infrastrukture, e cila përmirëson ndjeshëm  cilësisë së jetës së qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *