Deputeti i opozitës parlamentare, Nimet Musai deklaroi se shqiptarët nuk duhet ta humbin shpresën. Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Musai tha se shqiptarët duhet të ndihen më të sigurt për të ardhmen, pas marrëveshjes së firmosur mes Kosovës dhe Serbisë.
“Një diell diku po lind, rrezeve të tij nuk duhet tu kthejmë shpinën. Një stinë e ngrohtë po vjen për ne. Presidentit i SHBA shfletoi një marrëveshje ekonomike me impakt rajonal. Kosova në këtë projekt nuk do të jetë më fuqia e barutit, por vetëm paqja mbi tokë. Mori përgjigje edhe skepticizma e shumë aktorëve vendas për minishengenin ballkanik. Presidenti Trump e lgjitimoi dhe e bekoi në emër të SHBA këtë projekt. Ata që e quajtën deri dje format lindor, nga nesër duhet të vënë dorën e tyre për ta çuar përpara.”
Lidhur me procesin zgjedhor që pritet të mbahet në 2021, Musai tha se këto duhet të jenë zgjedhjet më shembullore të mbajtura ndonjëherë.
“Shqiptarët e Shqipërisë duhet të tregojnë se kjo pjekuri politike në rajon nuk është rastësi dhe as e pamerituar. E gjitha ka qenë e merituar. Zgjedhjet e 2021 të jenë më të lirat, më të ndershmet e më demokratiket e Ballkanit. Kjo na nderon ne, kjo na çon përpara. Këto zgjedhje duhet të jenë më të mirat në rajon dhe Parlamenti i ri më i miri që kemi patur.”





