Nga Mola Luku
Granti i performancës së bashkive, Akademia e Pushtetit Vendor si dhe Paketa e Maleve janë cilësuar si disa nga projektet më ambicioze që do të sjellin shërbime më të mira për qytetarët nga Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
Për Vizion Plus, teksa bëri një bilanc të punës dhe sfidave për institucionet lokale, Ministri u shpreh se Bashkitë tashmë kanë një sërë instrumentesh që i vijnë në ndihmë si në aspektin financiar ashtu dhe në politikat zhvilluese.
“Ne do të shohim se si implementimi i politikave lokale, ku mund të jetë arsimi bazë, parashkollor, trajtimi i mbetjeve ose menaxhimi i mbetjeve në tërësi, elementë të tjerë të cilët janë shumë po shumë të rëndësishëm. Bashkitë tashmë do të maten me këta tregues dhe do të financohen në bazë të këtyre treguesve. Është një akademi e cila është konceptuar në AND-në e vet si një institucion i cili do të adresojë në mënyrë specifike të gjitha problematikat e pushtetit lokal”, tha ministri Demo.
Demo theksoi gjithashtu se procesi i integrimit, i cili është gjithëpërfshirës do të sjellë një valë më të madhe pune për institucionet lokale të cilat duhet të jenë të përgatitura.
“Këto 24 muaj që ne mund të kemi përpara janë 24 muaj të cilët do të sjellin shumë herë më tepër sfida për bashkitë dhe ato janë tashmë të ndërgjegjësuara që duhet të përgatiten për një dallgë shumë të madhe ndryshimesh në mënyrën si ato operojnë”, tha Demo.
Demo nuk harroi të shpjegonte dhe konceptin e Paketës së Maleve, ndërsa perjashtoi cdo rrezik per konflikte të pronësisë.
“Pronat për paketën e maleve duhet detyrimisht që të figurojnë pronë shtet, pra të mos kenë pronar dhe automatikisht askush të mos aplikojë për një pronë e cila mund të jetë private dhe gjatë afatit 45 ditor nëse nuk ka ankimime më pas këshilli bashkiak do të vijojë me procedurat e miratimit në Këshillin Bashkiak. Me këtë paketë nuk merr një certifikatë pronësie për tokën por në fakt ty të lind e drejta që me paketën e maleve ti të aplikosh për një projekt, të marrësh lejen e ndërtimit, të ndërtosh dhe më pas pajisesh me certifikatën e pronësisë”, sqaroi ministri.
Ministri për Pushtetin Vendor bëri me dije se qeveria po shikon mundësinë e modeleve ku bashkitë mund të bëhen pjesë e disa kompanive si bashkëpronare në mënyrë që të gjenerojnë më tepër të ardhura.





