Subscribe

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një nisëm për të ulur komisionet bankare që paguhen për transaksionet në euro. Për të kryer një transfertë nga një bankë në një tjetër brenda vendit, në valutë, në varësi edhe të shumës, komisioni nis nga 10 deri në 300 euro.

 

Kjo kosto që e tejkalon edhe pagën minimale, e rendit Shqipërinë ndër vendet me komisionet më të larta bankare. Drejtorja e Sistemit të Pagesave në Bankën e Shqipërisë shpjegon ciklin që ndjek transaksioni që e bënë këtë procedurë kaq të shtrenjtë.

 

Nëse unë dua të dërgoj një shumë të caktuar valute nga një bankë A në bankë B, edhe pse ato kanë një distancë fizike vetëm dy metra larg, nuk mjafton vetëm komunikimi mes tyre, por hyjnë në lojë edhe dy banka korrespodentë të huaja që përcjellin mesazhin për këtë transfertë. Ky kompozim bën që transferta të kalojë në katër hallka, çka e bënë transaksionin të kushtueshëm, pasi çdo bankë do aplikojë komisione. Nga ana tjetër kjo infrastrukturë bankare e bënë këtë procedurë të zgjasë deri në një javë”, – shpjegon Ledia Bregu, drejtore e Sistemit të Pagesave në BSH.

 

Nisma e bankës qendrore ka si synim shkurtimin në kohë dhe në kosto të kësaj procedure duke shmangur hallkat në të cilat kalon transferta.

 

Projekti i bankës ka për qëllim të shmangë dy bankat korrespondente të huaja dhe transaksioni të kalojë nga banka e Shqipërisë, duke e bërë këtë transaksion në kohë reale brenda ditës, njësoj siç ndodh me transfertat në lekë për të cilat banka qendrore është përgjegjës.

 

Kostot e larta që aplikojnë bankat ka bërë që bizneset të hapin shumë llogari bankare, ndërsa kur duan të kryejnë transferta i tërheqin paratë cash për ti depozituar në bankën që duan.

 

Vlen të theksohet se nga ky projekt do të përfitojnë individët dhe bizneset dhe jo transaksionet që kryhen në tregjet financiare të cilat kanë një tjetër risk.

 

Nisma e bankës qendrore është ë fazën e diskutimeve me aktorët e fushës dhe pritet të gjejë zbatim në fillim të vitit të ardhshëm.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *