Nis takimi në Shtëpinë e Bardhë/ Ministri serb i Financave: Në tryezë edhe njohja e Kosovës

Ka nisur në Shtëpinë e Bardhë takimi mes kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell.Lajmin e bëri të ditur Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien, i cili përmes një njoftimi në tëitter, shkruan se “Hoti sapo arriti në Shtëpinë e Bardhë për bisedimet serbi-Kosovës. SHBA është e gatshme të lehtësojë normalizimin”, shkruan O’Brien.
Deri më tani, mësohet se në tryezën e bisedimeve, njohja e ndërsjelltë është shtruar si një ndër çështjet në diskutim. Këtë e ka konfirmuar ministri serb i financave, Sinisha Mali, i cili ka deklaruar se palëve u është dorëzuar një dokument ku përfshihet një pikë që parashikon njohjen .
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Richard Grenell ka deklaruar më herët se popujt e të dyja vendeve meritojnë normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Në një postim në rrjetin social tëitter, Grenell shprehet se duhet lënë mënjanë politika. Ndërkohë, udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel është shprehur se konflikti së pari kërkon zgjidhje politike.
ELIOT ENGEL
KONGRESIST AMERIKAN, MARRDHEENIET E JASHTME
“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili është duke larguar vendin e tij nga komuniteti veriatlantik dhe është duke e afruar me Rusinë, ka kundërshtuar vënien e njohjes reciproke në tavolinë. Në fakt, delegacioni serb ka thënë se do të jetë pjesë e negociatave për të diskutuar çështje ekonomike. Ndonëse nuk ka asgjë të keqe për rritje të ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik, konflikti politik kërkon zgjidhje politike”.
Engel ka nënvizuar se edhe personat që qëndrojnë mbrapa spastrimit etnik, dhunimeve dhe krimeve të tjera të luftës, të kryera gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviq, duhet të përballen me drejtësinë.
“Marrëveshja përfundimtare duhet të hapë rrugën për Kosovën dhe Serbinë që të jenë pjesë e strukturave veri-atlantike, duke përfshirë Bashkimin Europian dhe NATO-n, duhet t’i garantojë Kosovës anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara dhe organizatave të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.”
Deklarata e kongresmenit Engel ka ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, ka thënë se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.




