Nis sot rrugëtimin spektakli i rekordeve televizive, “Albania’s Got Talent” në ekranin e televizionit kombëtar Vizion Plus. Një eksperiencë unike që do të bëj bashkë talente të grupmoshave të ndryshme, të cilët kanë vetëm një qëllim, rrëmbimin e çmimit të madh.
Realizimi i këtij spektakli bazohet në rregulla strikte, të cilave ju është nënshtruar edhe formati shqiptar. Audicionet bëhen para një jurie, që ka të drejtë të kalojë ose të hedhë poshtë performancën duke shtypur butonin, në serinë e dritave të mëdha e të kuqe të skenës të shënuar me X .
Lexo edhe :
Related Posts
Agron Llakaj, Adelina Ismajli, Ledina Çelo dhe Kastro Zizo janë anëtarët e kësaj jurie ,të cilët do t’i shoqërojnë konkurrentët me komente të drejtpërdrejta. Ndaj ata sot do të vihen përballë sfidës për të zbuluar talentin shqiptar.
“Arti i tillë është që kush bën bën, dhe kush nuk bën nuk bën. Duhet marrë me sportivitet për t’u kuptuar e për të mos patur qejf mbetje, sepse kushdo, në çfarëdo moshe që të jetë është një lloj fëmije brenda dhe ka dëshirë të përkrahet. Si i tillë unë mundohem qoftë edhe duke i dhënë një shans në momentin kur është në disekuilibër”, tha Agron Llakaj.
“Unë jam shumë sqimatar, le të themi në përzgjedhjen e bërjes së projekteve, sidomos në këto 5 vitet e fundit, por gjithmonë rikthimet më kanë intriguar sidomos në një format dhe që patentë të tillë, të cilët ma rrisin më shumë peshën dhe vlerësimin”, deklaroi Kastro Zizo.
Një rikthim i bukur në ekran është edhe ai i dy këngëtareve Adelian Ismajlit dhe Ledina Çelos, këtë herë në rolin e anëtareve të jurisë.
“Janë emocione të përziera sepse ke frikë shumë, je juri, ke frikë se gabon dh i hyn në hak dikujt, por gjithsesi jam shumë e lumtur. Është sfidë e madhe, unë nuk kam qenë kurrë në një format të tillë në jetën time, është shumë e vështirë të vendosësh cili vazhdon dhe cili nuk vazhdon. Duhet të jesh zemërgur”, tha Adelian Ismajli.
“Ndjehem shumë mirë sepse kjo është një eksperiencë e re për mua. Por më pëlqen shumë të gjykoj këto talente të reja. Kam ardhur këtu që të jem mëse e vërtet”, tha Ledina Çelo.
Ky produksion i Vizion Plus premton se do të ofrojë performanca që tërheqin kërshërinë e teleshikuesit. Pa kufij moshe, shqiptarët nga të gjitha trevat ku jetojnë, por edhe të artistë të huaj që pasi mësuan për audicionet në Shqipëri i janë bashkuar formatit, do të garojnë në disiplina të ndryshme. Për të mos humbur asnjë prej këtyre interpretimeve magjike, “Albania’s Got Talent”, nën moderimin e Isli Islamit, ju lë takim sonte në mbrëmje, në orën 21.00 vetëm në ekranin e Vizion Plus.






