Këtë të enjte nisi zyrtarisht ndërtimi i bazës së NATO-s në Kuçovë që do të shërbejë për operacionet ushtarake.

 

Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral Ylli Pulaj, i ftuar në studion e lajmeve në “Vizion Plus”, ka treguar se cfarë rëndësie ka kjo bazë për NATO-n dhe përsë u zgjodh Shqipëria.

 

“Dëshmon edhe njëherë rëndësinë strategjike që ka vendi ynë në rajon, dëshmon qartë aftësitë e konsoliduara të vendit tonë për të marrë përgjegjësinë që i takon në Ballkanin Perëndimir, si dhe prezencën fizike të aleancës në vendin tonë. Sipas komandantit të forcave ajrore të NATO-s, Tod Wolters, arsyeja kryesore e përzgjedhjes së kësaj baze ka të bëjë me afërsinë e kësaj baze me rajonin juglindor të aleancës. Në këtë kontekst, poziconi strategjik në Ballkan merr një rëndësi më të madhe. Vendi ynë po bëhet gjithnjë e më shumë një pikë mbështetjeje në rajonin e Ballkanit.”

 

I pyetur nga gazetari Roland Zili se kur do të përfundojnë punimet në këtë bazë, gjenerali bëri me dije se pritet të mbyllen në fund të vitit 2023.

 

“Punimet në këtë bazë pitet të përfundojnë në fund të vitit 2023. Ne do të kemi jo thjesht një bazë ushtarake moderne të NATO-s, por një model të një baze ushtarake sipas standardeve të NATO-s dhe një shkollë praktike për personelin civil dhe ushtarak. Baza taktike ajrore e Kuçovës do të shërbejë për stërvitjen e personelit ajror për vendin tonë dhe vendeve aleate. E njëjta bazë mund të përdoret edhe për operacione të ndryshme. “

 

Gjeneral Pulaj shtoi se ky investim do të ndikojë në  ekonominë lokale të zonës.

 

“Do të sjellë për Kuçovën një energji shumë pozitive, por edhe përmirësimin e raporteve civile dhe ushtarake; do të ketë në fokus edhe përmirësimin e raporteve sociale dhe ekonomike për të gjithë komunitetin që jeton e punon në zonën e Kuçovës dhe Beratit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *