Subscribe

Policia e Shkodrës arriti të hedhë dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në Dukagjin, ku u qëlluan me armë zjarri babë e bir. Në këtë atentat mbeti vrarë Zef Guri 73 vjeç, dhe u plagos rëndë Gjin Guri 46 vjeç.

 

Pas mbledhjes së provave dhe dëshmive të para, policia identifikoi dhe shpalli në kërkim si autor të ngjarjes nipin e viktimës, Gjovalin Guri.

 

Sipas policisë, ai dyshohet se ka marrë pjesë në atentatin ku mbeti i vrarë xhaxhai i tij dhe i plagosur rëndë djali i xhaxhait.

 

Të shpallur në kërkim ishin edhe Martin Qershia dhe Edmond Nika, por ky i  fundit është vetëdorëzuar këtë paradite në policinë e Shkodrës, ndërsa vijon të mbetet në kërkim personi tjetër.

 

Mbrëmë policia ka shoqëruar në komisariat edhe Kujtim Dhollen dhe Cesk Serraj si persona që kanë dijeni për ngjarjen. Ata fillimisht u dyshuan si bashkëpunëtorë në krimin që ndodhi rreth orës 18:30 në fshatin Mali i Shoshit, pranë një lokali.

 

Dy janë pistat ku policia po heton për ngjarje : e para konflikti për lëndët drusore dhe tjetra prishja e pazareve për kanabis.

 

46- vjeçari Gjin Guri është një emër i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë i dënuar me 7 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

 

Në vitin 2015 ai u arrestua, pasi qëlloi me armë zjarri ndaj policisë që ushtronte kontrolle për kanabis në Dukagjin, ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021 në lokalin e tij në Malin e Shoshit u vendos tritol.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *