Vënia në funksion e Gjykatës Kushtetuese është një ndër detyrat e shumta që Këshilli Europian caktoi për Shqipërinë në muajin mars të këtij viti, kur mori vendimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Gledis Gjipali nga organizata Lëvizja Europiane tha në një lidhje direkte për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” se ngritja e “Kushtetueses” i shton shanset Shqipërisë që të ketë një datë për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare.

 

“Duhet të presim vlerësimin e partnerëve tanë ndërkombëtare, ku do të merret ky vendim i rëndësishëm. Është një hap i rëndësishëm përpara. Rrit shumë shanset për Shqipërinë që të kemi një datë për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare.  Në dhjetor u përmend gjithashtu reforma zgjedhore, e cila duhet të jetë e plotë, duke përfshirë edhe financimin e partive politike, por edhe dakordësi të prgjithshme për reformën zgjedhior. Do të jenë vendet që do të vlerësojnë nëse Shqipëria do ta hedhë këtë hap të radhës.”

 

Gjipali theksoi më tej se fokusi i Shqipërisë duhet të jetë reforma në drejtësi dhe se duhen bindur kryesisht vendet që janë shfaqur skeptike si Holanda, Franca e Danimarka.

 

“Detyrat më të rëndësishme janë lufta kundër korrupsionit, trafiqeve etj. Duke treguar që reforma në drejtësi po funkionon dhe organet e reja të krijuara po tregojnë rezultate. Më pas, sigurisht është një proces i gjatë, do të ketë vazhdimisht kushte. Por ky është fokusi që ne duhet të bindim tërësisht partnerët tanë, edhe ato vendet më skeptike, Holanda, Franca, Danimarka etj. Kërkimi i llogarisë do të jetë edhe më i madh. Për të arritur tek konferenca e dytë, kemi ende kushte, kompletimi i reformës në drejtësi, çështjet për të drejtat e njeriut, çështja e pronës. Është një proces që kërkon shumë energji dhe shumë vullnet nga të gjithë ne.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *