Subscribe

Me 95 vota pro parlamenti ngriti komisionin e posaçëm që do të ketë si detyrë zgjedhjen e 12 anëtarëve të komisionit qendror të zgjedhjeve.

 

Anëtarë të këtij komisioni janë 3 socialistët Gjiknuri,Hyseni dhe Shameti, nga opozita parlamentare janë Murrizi e Stojku dhe për herë të parë pas një viti e gjysëm pjesë e kësaj strukture parlamentare është edhe partia demokratike nëpërmjet Oerd Bylykbashit.

 

Por ngritja e KQZ duket se shënon një nga ato momente e rralla konsensuale mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore, pasi çështja e koalicioneve ka rikthyer debatin mes palëve.

 

Në emër të mazhorancës ministrja për marrëdhëniet me parlamentin hodhi sot poshtë kërkesën e opozitës për të marrë mendimin e Osbe-Odihrit

 

ELISA SPIROPALI

“Ne jemi të gatshëm t’i dëgjojmë, por s’ka punë ODIHR-i këtu dhe nuk ka punë asnjë institucion tjetër, ka punë kuvendi i Shqipërisë i cili përmes votimit sot të komisionit do të bëjë të mundur që Brenda 30 shtatorit ne të kemi më në fund, një kod zgjedhor dinjitoz.”

Sipas mazhorancës kërkesa e PD synon vetëm zvarritjen e procesit.

 

“Kërkesa e opozitës për t’iu drejtuar ODIHR, është jo vetëm e parakohshme sepse ne nuk kemi ende një draft, por është bllokuese. Kur e njëjta opozitë nuk pranoi rekomandimin kyç të ODIHR për depolitizimin e administratës zgjedhore kur nënshkroi marrëveshjen e 5 qershorit.” 

 

Të premten në orën 16.00 përfundon afati për të gjithë ata që duan të aplikojnë për të qënë anëtarë të KQZ.

 

Deri më tani kanë dorëzuar dokumentacionin 33 kandidatë për Kqz e re. Mes tyre bie në sy  Bledar Skënderi i cili aktualisht është anëtar i Kqz, ish-deputeti socialist Arben Isaraj, eksperti socialist në këshillin politik Dritan Caka, drejtuesja e departamentit të antikorrupsionit në PD Lealba Pelinku, Helga vukaj e cila mbajti postin e ministres teknike të financave në vitin 2017.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *