Një ulje e pazakontë temperaturash në Teksas, e cila ka rritur mjaft kërkesën për energji elektrike, detyroi të hënën operatorin e rrjetit elektrik të këtij shteti të ndërpresë në mënyrë masive furnizimin, duke lënë më shumë se 2 milionë konsumatorë pa energji elektrike.

Faqja PowerOutage.us, e cila ndjek ndërprerjet e enegjisë në vend, tha se 2,703,967 konsumatorë të Teksasit ishin pa energji elektrike të hënën paradite.

Presidenti Joe Biden shpalli të hënën një emergjencë, duke zhbllokuar ndihmën federale për Teksasin, ku temperaturat shkonin nga minus 6 deri në minus 22 gradë Celsius.

Aeroporti Ndërkombëtar George Bush i Hjustonit tha në një deklaratë se pista e tij do të qëndronte e mbyllur për disa orë ndërsa Aeroporti Hobby do të qëndrojë i mbyllur të paktën deri të martën.

Përveç Teksasit, një pjesë e madhe e Shteteve të Bashkuara nga Paqësori Veriperëndimor e deri në Rrafshinat e Mëdha si dhe më tej në shtetet mes-Atlantike ishte në kthetrat e motit tepër të ftohtë gjatë fundjavës.

Në Luiziana, ku temperaturat e ulta gjithashtu shkaktuan ndërprerjen e energjisë dhe mbylljen e rrugëve, disa zona shpallën ndalim qarkullimin për t’i mbajtur banorët larg rrugës./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *