Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Komisioni Evropian që të japë një vlerësim pozitiv për gjithë punën e bërë nga Shqipëria për hapjen e negociatave. Në fjalën e mbajtur pas tryezës së organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Rama tha se Shqipëria e meriton çeljen e negociatave se i ka bërë të gjitha detyrat.

 

“Vlerësimi i Komisionit Europian ka qenë pozitiv, do të jetë pozitiv se s’ka si të jetë ndryshe, përderisa Shqipëria i ka bërë dhe po i bën detyrat, madje unë pres që dhe nisma jonë më e fundit të gjejë vendin e vet të merituar në vlerësimin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Por, e përsëris, që, bëjmë çfarë bëjmë ne, ne e bëjmë për veten tonë. Nuk e bëjmë se na e kërkojnë miqtë tanë europianë dhe pastaj vendimmarrja e tyre nuk është e lidhur thjesht me atë që bëjmë ne, por, është e gjitha dhe thuajse plotësisht së fundmi e lidhur me atë që ata duhet të zgjidhin mes tyre për sa i përket të ardhmes së BE, të ardhmes së procesit të zgjerimit, etj., gjëra që dihen dhe që sado interesante të jetë për të krijuar audiencë, apo kuriozitete të natyrës mediatike që këto gjëra të ngatërrohen, ato mbeten ashtu sic janë, të qarta si kristali.”

 

Ai foli edhe për minishengenin ballkanik. Sipas kreut të qeverisë, do të vijë koha që edhe vetë Bashkimi Evropian do ta mbështesë këtë nismë. Por Rama theksoi se ka ngatërrestarë që do ta vështirësojnë punën në këtë drejtim.

 

“Unë jam i bindur që, më herët se vonë, BE, KE do ta mbështesin patjetër këtë vizion se s’ka si të ndodhë ndryshe derisa është një vizion që merr spunto nga 4 liritë e vetë Bashkimit Europian, por, sigurisht, që do të na duhet që të kemi pak durim, sepse ngatërrestarët nuk janë vetëm në Ballkan, janë edhe në Europë, kudo, kështu që, ndërkohë që BE, KiE, KE kanë shumë probleme të tjera dhe kanë shumë e shumë halle të tjera, kështu që derisa të kenë plotësisht fokus mbi këtë që ne duam të bëjmë, jam i bindur që gjithçka do të kthjellohet dhe pastaj jo vetëm që BE do ta mbështesë fuqimisht, por kam bindjen që vendet do vlerësohen edhe në bazë të qasjes dhe kapaciteteve për të jetësuar hapësirën europiane brenda perimetrit të Shengenit rajonal.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *