Nga Gjirokastra në Tiranë, alarmet për bombë vënë në lëvizje institucionet dhe Policinë, punonjësit lënë zyrat

Një valë alarmesh për bombë ka vënë në lëvizje strukturat e Policisë në disa qytete të vendit, pas mbërritjes së emaileve kërcënuese në adresa elektronike të institucioneve. Mesazhe të tilla janë raportuar në Gjirokastër, Vlorë, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë, duke shkaktuar shqetësim dhe aktivizimin e masave të sigurisë.
Në Gjirokastër, emaili kërcënues mbërriti në adresën elektronike të Gjykatës së Shkallës së Parë, ku pretendohej se ishte vendosur një bombë. Forca të shumta policie mbërritën në godinë dhe evakuuan personelin, ndërsa njësia antieksploziv kreu kontrolle. Nga verifikimet rezultoi se alarmi ishte fals. Në të njëjtën godinë ushtron aktivitetin edhe Prokuroria, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e dërguesit.
Edhe në Vlorë, alarmi për bombë preku disa institucione, mes tyre Gjykatën, Prokurorinë dhe Spitalin Rajonal. Strukturat e Policisë dhe të Antiterrorit kryen kontrolle për verifikimin e kërcënimeve. Ky është rasti i dytë brenda rreth një muaji që mesazhe të ngjashme mbërrijnë në institucionet e qytetit, duke vënë në lëvizje autoritetet.
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, ku gjithashtu ka mbërritur një email që paralajmëronte për një bombë ose mjet shpërthyes.
Në Lezhë, emaili kërcënues mbërriti në Bashki dhe Prefekturë, ku dërguesi pretendonte se kishte vendosur një bombë dhe se përfaqësonte organizatën terroriste Shteti Islamik. Ndërkohë, mesazhe të ngjashme janë raportuar edhe në Shkodër, ku punonjësit e Gjykatës kanë dalë jashtë ambienteve të institucionit, si dhe në Tiranë. Strukturat përgjegjëse po kryejnë verifikimet përkatëse.
Autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat e dërgimit të emaileve dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
/vizionplus.tv




