Neutralizohet zjarri në Dropull, ushtria ndërhyn me helikopter, arrestohet zjarrvënësi
Pas orësh përpjekje është arritur të vihen nën kontroll vatrat e zjarrit në disa fshatra të Dropullit dhe Finiqit.
Fillimisht zjarri ka ardhur nga një vatër e pashuar ende në zonën e Delvinës. Flakët u përhapën në kullotat e Malit të Gjerë duke rrezikuar banesat në fshatrat Frashtan dhe Dropull.
Është dashur ndërhyrja emergjente e zjarrfikësve të Gjirokastrës, Libohovës dhe Dropullit për lokalizimin e zjarrit që rrezikoi banesat dhe bizneset.
Ndërkohë mëngjesin e sotëm helikopteri “Cougar” dhe rreth 30 efektivë të forcave të armatosura janë riangazhuar për të shuar flakët.
Policia nga ana tjetër ka arrestuar autorin e zjarrvënies në pyjet e fshatit Frashtan. Në pranga ka rënë Manol Kokolli 58 vjeç, banor i këtij fshati, që akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”./vizionplus.tv




