Nesër skadon ultimatumi që Sali Berisha dhe mbështetësit e tij i kanë vendosur Lulzim Bashës për t’u larguar nga selia e Partisë Demokratike. Në 23 dhjetor Komisioni i Rithemelimit deklaroi se 43.385 vendosën në referendum shkarkimin e Bashës, e për këtë arsye Lulzim Basha deri në 5 janar duhet të largohet nga zyra e kryetarit të Partisë Demokratike.

 

Por, pavarësisht këtij ultimatum, vetë Basha ka deklaruar se asgjë nuk do të ndodhë në 5 janar, duke injoruar ultimatumin e paraardhësit të tij Sali Berisha.

 

Ndërkaq, në këto ditë të para të vitit, Lulzim Basha ka vendosur të ndryshojë pamjen e selisë së PD, duke veshur me logon e Partise Demokratike të gjithë fasaden prej xhami të selisë.

 

Ndryshimet në selinë e PD kanë sjellë reagimin e ashpër të Komisionit të Rithemelimit, i cili akuzoi Bashën se po vendos dyer të blinduara në Partinë Demokratike.

 

Në një deklaratë për median, Komisioni deklaron se Lulzim Basha, në prag të protestës paqësore të demokratëve, ka vendosur ta kthejë shtëpinë e tyre në bunkerin e vetmisë dhe pazareve të tij.

 

“Në një akt turpi dhe paniku të denjë vetëm për një aparatçik të marrë peng ai ndërron brava dhe po vendos dyer të blinduara për të shndërruar shtëpinë e demokratve, selinë e Partise Demokratike, në bunkerin e tij privat”, theksohet në deklaratën e Komisionit të Rithemelimit.

 

Vetë Sali Berisha ka paralajmëruar se nëse Basha nuk largohet deri në 5 janar, atëherë të shtunën protesta kundër qeverisë do të nisë nga selia e PD për të nxjerrë së pari jashtë vetë Lulzim Bashën.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *