Subscribe

Nga e hëna e 10 korrikut, kandidatët në garë për bashkinë Rrogozhinë kanë 12 ditë për të bërë fushatë elektorale.

 

Edison Memolla i Partisë Socialiste dhe Shkëlqim Hoxha i koalicionit “Bashkë Fitojmë” do të përballen për të herë të dytë për të fituar bashkinë e vogël të qarkut Tiranë.

 

Në përballjen e parë, atë të 14 majit, zgjedhjet për kryebashkiakun e Rrogozhinës i fitoi kandidati i socialistëve me 21 vota diferencë. Mandatin nuk e mori. Kolegji Zgjedhor vendosi përsëritjen e votimeve pasi gjeti parregullsi në zgjedhje që socialistët i fituan me votat e burgut.

 

Në mungesë të vendimit të zbardhuar nga Kolegji Zgjedhor, KQZ ende nuk ka një vendimmarrje për qendrën e votimit në burgun e Rrogozhinës, për të cilën koalicioni “Bashkë Fitojmë” pretendoi se në 14 maj ajo u ngrit dhe funksionoi në shkelje të ligjeve zgjedhore.

 

Ishin 80 votat e të burgosurve që përmbysën rezultatin në favor të socialistit Edison Memolla.

 

Pas Rrogozhinës, radhën e ka Kukësi. Presidenti Bajram Begaj ende nuk e ka dekretuar datën. Po aq, partitë politike kandidatët e tyre. Mbetet për tu parë nëse në garë për bashkinë në veri të vendit do të hyjë edhe Partia Demokratike që në 14 maj nuk pati kandidat të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *