Pas kryebashkiakut të Gramshit, Prokuroria e Elbasanit këtë pasdite ka marrë në pyetje kryebashkiakun e Peqinit Lorenc Tosku, të Belshit, Arif Tafani dhe kreun e bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Bëhet me dije se kryebashkiaku i Peqinit është marrë në pyetje, pasi akuzohet se makinën e bujqësisë e ka përdorur për nevoja të veta private.

Kreu i Bashkisë së Belshit është një tjetër kryebashkiak që është marrë në pyetje nga Prokuroria e Elbasanit, në kuadër të hetimeve për investimet e kryera në pedonale.

Ndërkohë Prokuroria e Elbasanit pas tre kryebashkiakëve të qarkut ka marrë në pyetje edhe kryebashkiakun Gurra, ndaj të cilit ka një kallëzim penal për prishjen në mënyrë të paligjshme të një prone private.

Ndërkohë në lidhje me marrjen në pyetje nga prokuroria, deri më tani nuk ka asnjë reagim nga tre kryebashkiakët, vetëm kreu i Bashkisë së Gramshit. Ai mohon të ketë fshehur çështje dhe se ka qenë i dënuar, ndërsa shton se ka dhënë dëshmi si person që ka dijeni për veprën penale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *