Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shprehur se fajtori i vetëm i shtyrjes së negociatave është Edi Rama.

 

Përmes një deklarate për mediat kryedemokrati Basha është shprehur se propaganda e Edi Ramës dhe mercenarëve të tij, do të përpiqet ta mohojë refuzimin.

 

Ndër të tjera kreu i demokratëve ka deklaruar se arsyet e vetme të refuzimit të hapjes së negociatave janë krimi dhe korrupsioni.

 

“Sot, Shqipërisë iu mohua për të tretën herë, nën qeverisjen Rama, hapja e negociatave për anëtarësim me BE. Edhe pse i pritshëm,është një lajm i hidhur për ne shqiptarët, që, edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar nga Europa.  Edhe më i rëndë është fakti se, më shumë se një refuzim i përkohshëm i negociatave, sot, ne shqiptarëve, po na vihet në dyshim aftësia për të përqafuar dhe jetuar sipas standarteve dhe vlerave europiane. Propaganda e Edi Ramës dhe mercenarëve të tij, do të përpiqet ta mohojë refuzimin.  Pasi do të dështojnë ta mohojnë, do të përpiqen t’ia veshin fajin të tjerëve.Edi Rama do të fajësojë Europën se ka probleme të vetat. Do të fajësojë opozitën që nuk rri urtë para keqqeverisjes së tij. Do të fajësojë gjysmën e botës. Do të fajësojë edhe popullin e vet. Nuk do të fajësojë vetëm një njeri: Edi Ramën. Mos u gënjeni nga propaganda e tij. Ka vetëm një përgjegjës për refuzimin e vazhdueshëm ndaj Shqipërisë: Është qeveria dhe Edi Rama. Ka vetëm një arsye pse na janë mbyllur dyert e Europës: korrupsioni dhe krimi.”

Ndër të tjera kryedemokrati ka bërë thirrje që të mos e dëgjojnë helmin antieuropian që përhap Edi Rama duke ju thënë se Europianët janë racistë, se europianët nuk na duan.

 

“Europa në këto tre dekada është sjellë si nënë e dashur me shqiptarët. Ajo na ka mbajtur me bukë kur na kërcënonte uria në vitet 90-të, ajo na dha asistencë dhe dije, kur sapo dilnim nga errësira e komunizmit, ajo na dhuroi miliarda, që të ndërtonim spitale, shkolla e rrugë. Europa na hoqi vizat, që të ishim të lirë në gjirin e saj. Europianët na hapën dyert në cdo qytet e fshat, kur migruam drej tyre. Europianët nuk janë kundër Shqipërisë. Ata janë kundër krimit.Europianët nuk kanë frikë nga shqiptarët. Ata kanë frikë nga droga. Europianët nuk duan të mbajnë larg shqiptarë. Ata duan të mbajnë larg qeveritarët e korruptuar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *