Reformat e ndërmarra nga Tirana zyrtare kanë bindur qeverinë e Austrisë të votoje pro çeljes së negociatave për anëtarësim.

 

Për Vizion Plus, ambasadori austriak në Tiranë Johann Sattler, thekson se dhënia e  një perspektive të qartë europiane për vendet e rajonit, është e nevojshme për të inkurajuar reformat e ndërmarra, si dhe si mjet për stabilitetin e vendeve të rajonit.

 

“Austria është qartësisht në favor të hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky është qëndrimi, i cili është shprehur qartësisht nga Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz, në intervistat që ka dhënë disa ditë më parë.  Ky vlerësim vjen nga mendimi i krijuar se duke i dhënë rajonit një perspektivë të qartë është e nevojshme për të inkurajuar reformat e ndërmarra dhe të nisura këtu, të ecet përpara me gjithçka është nisur. Po ashtu, një nxitje e tillë do të rriste stabilitetin në vendet e rajonit, sepse rritja e stabilitetit në në këtë rajon përkthehet gjithashtu në stabilitet për vendet tona. Por, a do të thotë kjo se ne jemi të kënaqur me gjithçka me çfarë po ndodh në Shqipëri? Jo! Ka momente ku situatat rrëshqasin, ka hije, por ka gjëra shumë pozitive mbi të cilat ne mendojmë se mund të bëhet më shumë. Por a mjafton kjo situatë për të nisur negociatat për anëtarësim? Absolutisht Po dhe mendoj se tani është koha për ta bërë një hap të tillë”

 

Ambasadori Sattler, mendon se klasa politike duhet të gjejë gjuhën e përbashkët mbi çështje të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Ai nuk e konsideron shqetësuese protestën e fundit të opozitës kundër qeverisë, pasi siç thotë u zhvillua sipas parametrave demokratike.

 

 “Në një pikë mund të them se nuk është bërë mjaftueshëm progres sa i takon klimës politike, për atë të cilës ju i referoheni. Ju keni nevojë për një minimum bazik të bashkëpunimit mes forcave politike në mazhorancë dhe opozitë. Kjo do të thotë, bashkëpunim të paktën në fusha me interes të rëndësishëm, në fusha mbi çështje të mëdha, mbi çështje që prekin politikën e jashtme, në çështje të sigurisë kombëtare. Kjo nuk ka të bëjë me opozitën aktuale në Shqipëri. Mund të them se e njëjta situatë ka ndoshur edhe më parë, duke e parë vendin tuaj për një disa kohë. Njësoj ka qenë kur partia që qeveris sot vendin ishte në opozitë. Në qoftë se për çdo propozim që vjen nga qeveria në Parlament, nisma të ndryshme ligjore apo projekte dhe vendime të tjera, do të kishte një reagim negativ, në qoftë se nuk i jep të drejtën e dyshimit, ju minoni kulturën demokratike të vendit. Kur ju përmendët protestën e opozitës, nuk mendoj se është një çështje e veçantë  apo një problem i madh, i parë nga kancelaritë e mëdha si Berlini, Vijena apo në vende të tjera. Kjo për arsye se protesta u zhvillua brenda parametrave demokratike. Ishte një protesë që u mbajt në një kohëzgjatje të caktuar. Pra nuk mund të them se ishte një çështje problematike”

 

Reforma në sistemin e drejtësisë për ambasadorin austriak, duhet të sigurojë që askush të mos jetë mbi ligjin.

 

 “Gjatë qëndrimit këtu në Shqipëri kam dëgjuar këtë shprehje që lidhet me drejtësinë: “Ka ligj dhe ka Maliq”. Një shprehje që në thelb do të thotë se ligji ekziston, por gjithmonë në një kohë shumë të gjatë kanë qenë njerëz mbi ligjin. Unë mendoj se kjo gjendje duhet të adresohet dhe të marrë një përgjigje. Faktikisht kjo situatë ka nisur të marrë përgjigje përmes reformës në sistemin e drejtësisë  shqiptare. Çdokush, çdo shqiptar meriton të ketë një gjykim të drejtë në Gjykata”

 

Diplomati austriak këshillon qeverinë shqiptare të bëjë gjithçka për të bindur vendet anëtare të Bashkimit Europian, për të dhënë dritën jeshile të çeljes së negociatave për anëtarësim. Rezultatet e muajve të fundi duhet të jenë më të mëdha në luftën kundër kultivimit e trafikimit të lëndëve narkotike, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *