Subscribe

Prokuroria  e Tiranës ka nisur hetimet për vdekjen e fëmijës 3-vjeçar pas trajtimit të marrë në një klinikë dentare në kryeqytet. Organi i akuzës bëri të ditur se po kryen të gjitha veprimet procedurale për veprën penale “neglizhenca në trajtimin mjekësor”, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së fëmijës.

 

Ndërkohë në denoncimin e tij në polici  babai i fëmijës, Bledar Spahiu, ka thënë se mjeku Roland Xhaxho i ka bërë anestezi totale 3-vjeçarit  për të kryer ndërhyrjen për rregullimin e dhëmbëve.

 

Pasi ka përfunduar ndërhyrjen, mjeku dentist i ka kërkuar që djalin ta marrë nga klinika dhe ta çojë në banesë, duke i rekomanduar edhe mjekimin që duhet të merrte. Në banesë fëmija ka filluar të ndihet keq dhe duke parë gjendjen e fëmijës që po përkeqësohej prindërit e kanë çuar në spitalin pediatrik.

 

Por me gjithë përpjekjet e mjekëve që ta shpëtonin për dy ditë rresht, fëmija ka ndërruar jetë në spital.

 

Prindërit thonë se djali ka rënë në gjendje kome pas anestezisë. Ndërkohë që mjeku Roland Xhaxho në një deklaratë të bërë një ditë më parë, pretendon se fëmija kreu në klinikë procedurat dentare nën anestezi të përgjithshme. Ai ka thënë se për këtë gjë i ka sqaruar edhe prindërit, të cilët kanë firmosur edhe konsensusin. Kjo mënyrë e trajtimit sipas tij u zgjodh si pasojë e një defekti në zemër që kishe djali i mitur.

 

Megjithatë tashmë priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore të autopsisë për të vërtetuar shkakun e ndarjes nga jeta të fëmijës 3-vjeçar, ndërkohë që prokuroria ka sekuestruar gjithashtu kartelat klinike në QSUT si dhe ato në klinikën private, ku është bërë ndërhyrja për të zbardhur plotësisht ngjarjen e rëndë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *