Subscribe

Universitetet kanë nisur fushatat informuese në shkollat e mesme për të joshur rreth 27 mijë maturantë, me ofertat e tyre akademike.

Vitet e fundit kanë treguar se fusha e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ka përthithur një të katërtën e numrit të përgjithshëm të të rinjve që shkojnë drejt arsimit të lartë.

“Unë e kam vendosur, do vazhdoj drejtësi. Ka qenë një ëndërr dhe dua ta vazhdoj këtu në vendin tim. Për tregun e punës mendoj që mund të përshtatem, sepse e kam me pasion dhe them se do eci mirë“, thotë maturantja, Xhesika Dervishi.

Referuar shifrave të një viti më parë, rreth 11 mijë maturantë zgjodhën të studiojnë jashtë vendit.

“Unë studioj në universitetin e Maastricht për shkenca biomjekësore. Vendosa që të aplikoja në Holandë për një degë që nuk njihet në shumë vende, ndërsa në vendin tonë nuk ekziston fare. Nga 60 mijë aplikantë në të gjithë botën, ishin 400 vende në dispozicion dhe u pranova. Shkencat biomjekësore kanë të bëjnë me laboratorin, prodhimin e ilaçeve dhe diagnostikimin e sëmundjeve”, thotë studentja.

Aktualisht në vendin tonë operojnë 42 institucione të arsimit të lartë, mes tyre 13 janë publikë dhe 29 privatë.

Sipas rrjetit akademik shqiptar në total ofrohen më shumë se 650 programe studimi, ndërsa ekspertët vërejnë se boshatisja e auditorëve në degë të caktuara vë në pikëpyetje edhe cilësinë, krahas mungesës së profesionistëve në të ardhmen./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *