Gjykata e Beratit ka pezulluar nga detyra Drejtorin e Burgut të Beratit,Hiqmet Këlliçi. Ditën e Enjte,Gjykata e Beratit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Berat për marrjen e masën ndaluese ndaj Këlliçit,të parashikuar nga Neni 242 i Kodit të Proçedurës Penale dhe në një seancë të zhvilluar në dhomat e këshillimit ka urdhëruar pezullimin e ushtrimit të detyrës së tij si drejtori i IEPV Berat,deri në përfundimin e proçesit gjyqësor në ngarkim të tij.

 

Hiqmet Këlliçi akuzohet për “Kryerje të Veprimeve Arbitrare” ndaj një të burgosuri që vuante dënimin në IEPV Berat,vepër penale që parashikohet nga Neni 250 i Kodit të Proçedurës Penale. Kallzimi penal ndaj Këlliçit është bërë nga avokati i të burgosurit në 16 Janar 2020.

 

Në kallzimin penal thuhet se,Këlliçi e ka izoluar të burgosurin Krios Vangjeli nga 13-20 Janar 2020 dhe e ka mbajtur në dhomën e izolimit me pranga,duke e lënë edhe më tej afateve që e lejon ligji. Në kallzimin penal ndaj Hiqmet Këlliçit,ndër të tjera thuhet se,me urdhër të drejtorit punonjësit e burgut e kanë trajtuar këtë të burgosur në mënyrë çnjerrëzore.

 

I burgosuri Krios Vangjeli mësohet se është transferuar me urdhër të Këlliçit në fillim të këtij muaji në Repartin e Posaçëm të Burgut të Fierit. Këlliçi e ka apeluar masën ndaluese në Gjykatën e Apelit Vlorë,ndërkohë që e ka lënë detyrës dhe është larguar prej ambjenteve të Burgut të Beratit pasditen e së Enjtes,menjëherë pasi Gjykata e Beratit urdhëroi pezullimin e tij nga detyra.

 

Në ngarkim të drejtorit të IEPV Berat janë të regjistruara deri më tani në Prokurorinë e Rrethit të Beratit edhe 3 kallzime të tjera penale për “shpërdorim detyre”. Dy kallzime penale janë bërë nga SHÇKB e Burgjeve që e akuzon se favorizonte të dënuarit për “liri me kusht” në këmbim të rryshfeteve dhe një tjetër kallzim penal për “Shpërdorim Detyre” është bërë nga disa avokatë të Beratit,që e akuzojnë se ka shkelur të drejtat e avokatëve,duke mos i lejuar për takimet me të paraburgosurit e mbrojtur prej tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *