Subscribe

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i është drejtuar Gjykatës së Lartë, ku kërkon zbutje të masës së sigurisë. Kërkesa për rekurs është depozituar në datën 7 mars, ndërsa çështja është regjistruar nga ana e gjykatës dhe pritet të shqyrtohet në ditët në vijim.

 

Lefter Koka u arrestua nga SPAK për çështjen e inceneratorëve. Ai akuzohet nga SPAK se ka përfituar përmes skemave korruptive afro 3.7 milionë euro për koncesionin e trajtimit të mbetjeve në Elbasan.

 

Ndaj tij rëndojnë akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, si dhe ajo e “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

 

Në kërkim policor për këtë aferë korruptive vijojnë të mbeten ende Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, administratorë të kompanive koncensionare. Këta të fundit mendohet se janë larguar jashtë Shqipërisë për t’i shpëtuar arrestimit.

 

Nga hetimet, Prokuroria Antikorrupsion konstatoi se koncesioni i trajtimit të mbetjeve është dhënë në kundërshtim me ligjin, duke favorizuar kompaninë e Stela Gugalljas. Pasi u shpall fituese, Gugallja, së bashku me Klodian Zoton që do të ndërtonte inceneratorin me kompaninë e tij, lëshuan fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë ato nuk i kishin kryer.

 

Edhe pse ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka deklaruar se ka zbatuar ligjin dhe nuk ka bërë asnjë shkelje, do të jetë Gjykata e Lartë ajo që do të vendosë nëse do të lë në fuqi vendimin e gjykatës së Posaçme të Apelit apo nëse do ta rrëzojë atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *