Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ftoi qytetarët t’i bashkohen opozitës në protestën e 12 marsit para Parlamentit. Edhe pse protesta zhvillohet në ditën që Parlamenti diskuton kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, Berisha në një bashkëbisedim në rrjetet sociale sqaroi se protesta ka si qëllim dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Edi Rama çdo skenar mund të zhvillojë dhe është i aftë të marrë çdo vendim. Por qytetarët vijnë aty për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, ata nuk mashtrohen me lubi Ballukun, protesta e 12 marsit është protestë për largimin e Edi Ramës nga pushteti”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe ceremoninë e dorëzimit të detyrës nga Belinda Balluku.
“Ju e patë sfidën që ajo u bëri qytetarëve shqiptarë, e cila po bëhet kazus, po bëhet shkak për rrënimin e të ardhmes së çdo shqiptari. Ju e patë se ajo me tekstin e përgatitur nga Edi Rama zotohej se ajo nuk ka kryer asnjë vepër, por ka realizuar suksese të mëdha dhe nuk ka bërë korrupsion”, tha kreu i PD-së.
Më herët, kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi një takim me pedagogë e studentë me rastin e ditës së 7 Marsit. Berisha akuzoi qeverinë socialiste se në 13 vite ka rrënuar sistemin arsimor në vend, duke premtuar se ditën që Partia Demokratike do të fitojë zgjedhjet, buxheti për arsimin do të rritet në 5%.





