Në qendër të qytetit të Durrësit atmosfera festive e fundvitit erdhi me ceremoninë tradicionale të ndezjes së Pemës së Vitit të Ri.
Pema, e mbushur me mijëra ndriçime shumëngjyrëshe, ishte momenti kulmor i aktivitetit, ndërsa efekti i saj i veçantë vizual krijoi një atmosferë të ngrohtë e plot emocion.
Dhjetëra familje, fëmijë dhe qytetarë të të gjitha moshave vlerësuan atmosferën e krijuar, duke theksuar rëndësinë e këtyre aktiviteteve që sjellin njerëzit më pranë njëri-tjetrit.
Ceremonia u shoqërua nga një koncert i veçantë, ku fëmijët performuan këngë dhe kërcime.
Ndezja e pemës së fundvitit shënon fillimin e një sezoni festash të mbushur me aktivitete për qytetin bregdetar.
Edhe elbasani çeli zyrtarisht atmosferën e festave të fundvitit.
Qyteti është veshur me dekor festiv, ndërsa zbukurimet e fundvitit kanë krijuar një pamje magjike.
Në qendër të qytetit, fëmijët të veshur me kostume tradicionale të festave dhe veshje simbolike të Vitit të Ri sollën një koncert të ngrohtë festiv.
Moment kulmor ishte ndezja e dritave të pemës së fundvitit, e vendosur në zemër të qytetit.
Pamja e qytetit të ndriçuar, e shoqëruar me dekorin e bukur festiv, e ka kthyer Elbasanin në një hapësirë magjike për qytetarët dhe vizitorët.
Bashkia Elbasan ka përgatitur një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore dhe festive që do të zhvillohen gjatë gjithë muajit Dhjetor./vizionplus.tv





