“Damask” godet rrjetin klandestin, 15 në pranga e 4 në kërkim pasi kalonin emigrantët nga Lindja drejt Europës
Një grup i madh personash është vënë në pranga nën akuzën e trafikut të klandestinëve. Ata ndihmonin në kalimin e paligjshëm të kufirit të emigrantëve nga lindja drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Dy prej organizatorëve të trafikut janë: Ahmed Kensova dhe Mohammed Alfahel, që të dy shtetas të huaj.
Pas operacionit “Damask”, Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dha detaje të hetimeve që gjatën një vit për këtë aktivitetit kriminal.
“Pas një hetimi 12-mujor, në kuadër të këtij procedimi është bërë i mundur individualizimi i përgjegjësisë penale për 24 subjekte të këtij procedimi penal. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për 19 shtetas. Gjatë fazave të mëparshme të hetimit janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas të tjerë, nga të cilët 3 hetohen me masën e sigurisë “Arrest në burg”, pa afat, ndërsa 2 me masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Janë shpallur në kërkim 4 shtetas. Sipas informacioneve që disponojmë, 3 prej tyre janë jashtë vendit dhe po ndiqen procedurat urgjente për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të tyre. Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 10 automjete, rreth 20 mijë euro dhe 500 000 lekë, 24 celularë, 10 pasaporta dhe fotokopje pasaportash të shtetasve egjiptianë dhe sirianë”, tha Vocaj.
Emigrantët vinin nga Rinasi dhe nga Greqia në mënyre të rregullt. Më pas Shqipërinë e përdornin tranzit për të shkuar në vendet e BE dhe kalimi ilegal bëhej nga Hani i Hotit në Shkodër dhe nga pika kufitare e Morinës në Kukës.
“Shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale iu kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shumë shtetasve, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët hynin në RSH nga Greqia dhe tranzitoheshin në drejtim të kufijve veriorë të Shqipërisë, në Malin e Zi dhe në Kosovë. Gjatë hetimit është dokumentuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm së shtetasit e huaj janë organizatorë dhe financues të kësaj veprimtarie kriminale”, shtoi ai.
Gjatë operacionit nuk janë evidentuar raste të bashkëpunimit me uniformat e policisë ka deklaruar Vocaj, ndërsa shpjegoi se grupi dyshohet se është i organizuar dhe hetimet mund t’i kalojnë SPAK-ut.
PERSONAT E ARRESTUAR:
Rafael Demaj
Enriko Gjonaj
Mehmet Bregu
Arnold Kërçi
Khaled Shahin
Ahmed Kensova
Dashamir Kullaj
Mohammed Alfahel
Nazmi Avxhija
Juljan Avxhija
Florenc Avxhija
Klajvert Avxhija
Klaudi Mano
Trilind Gjana
Elton Ukaj
Eurel Ukaj
Kelti Xhani
Kastriot Xhani
Ilirjan Xhaferri
Mikel Stefani
/vizionplus.tv




