Ish-shefi i IT së policisë së shtetit, Ervin Muça merret i pandehur për ndërhyrje në Sistemin TIMS.
Ka qenë Prokuroria e kryeqytetit që regjistroi procedim penal në shtator të dy viteve më parë, ndërsa u hetua me masë “arresti në shtëpi”.
Organi i akuzës, thotë se ka provuar me fakte që Ervin Muça ka kopjuar të dhëna brenda sistemit TIMS.
Prokuroria e Tiranës: Vërtetohet qartësisht lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat, lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në harddisk. Proces, i cili nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back up-e, për më tepër në pajisjen hard disk të sekuestruar evidentohen gjurmë të procesit të back up. Sa më sipër, hyrja e paautorizuar kompjuterike është realizuar. Pas hapjes së portave USB, procesi i back up ka filluar, vijuar, por nuk është përfunduar plotësisht.
Më 2 gusht 2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i këtij institucioni, Ervin Muça.
Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.
Për këto arsye, paralelisht është regjistruar një tjetër procedim penal për shpërdorim detyre për të hetuar edhe rolin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë vepër penale.
Ndërkohë, deri më tani Prokuroria nuk jep asnjë të dhënë mbi motivet që e shtynë Ervin Muçën të merrte të dhënat dhe kujt i shërbyen ato./vizionplus.tv