Ndahet nga jeta Khaleda Zia, gruaja e parë që drejtoi qeverinë e Bangladeshit

Khaleda Zia, ish-kryeministrja e Bangladeshit dhe gruaja e parë që udhëhoqi qeverinë e vendit, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.
Vdekja e saj u konfirmua sot, më 30 dhjetor, nga Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP), të cilën ajo e drejtoi për shumë vite. Zia u shua në orët e para të mëngjesit, ndërsa ndodhej e shtruar në një spital në Dhaka.
Një ditë më parë, mjekët kishin njoftuar se gjendja e saj shëndetësore ishte tepër e rëndë. Ajo mbahej në jetë me aparatura mjekësore dhe vuante nga disa probleme serioze shëndetësore, përfshirë sëmundje të veshkave, zemrës dhe pneumoni.
Menjëherë pas publikimit të lajmit të ndarjes nga jeta, dhjetëra mbështetës u mblodhën para spitalit ku ajo po trajtohej.

Khaleda Zia hyri në politikë pas vrasjes së bashkëshortit të saj, presidentit të atëhershëm Ziaur Rahman, në vitin 1981. Ajo u bë kryeministrja e parë femër e Bangladeshit në vitin 1991.
Karriera e saj politike u shënua nga përballja e fortë me rivalen e saj, Sheikh Hasina, e cila u rrëzua nga pushteti pas protestave masive në fund të vitit 2024.
Zia shërbeu disa mandate si kryeministre dhe u vlerësua për përpjekjet në forcimin e demokracisë parlamentare dhe përmirësimin e rolit të grave në shoqëri. Megjithatë, mandati i saj u shoqërua edhe me akuza për korrupsion, të cilat ajo i mohoi dhe i cilësoi si të motivuara politikisht.
Ajo kaloi vite në burg dhe në arrest shtëpie, ndërsa iu lejua të udhëtonte jashtë vendit për trajtim mjekësor vetëm pasi Sheikh Hasina humbi pushtetin. Zia u lirua nga burgu në janar 2025.
Udhëheqësi i përkohshëm i Bangladeshit, Muhammad Yunus, e cilësoi Zian si një “simbol të lëvizjes demokratike”. Edhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, shprehu ngushëllime dhe vlerësoi rolin e saj në zhvillimin e Bangladeshit dhe marrëdhëniet rajonale.
/vizionplus.tv




