Tradita e ndarjes së çmimeve kombëtare të letërsisë për botimet më të mira të vitit që lamë pas vijon duke sjellë prurje të shumta letrare nga autorët shqiptarë.
Gjashtë çmime u ndanë edhe këtë vit nga juria e kryesuar nga kryetari Koloreto Cukali, teksa qëllimi i tyre mbetet mbajtja gjallë e gjuhës shqipe.
“Qendra e Librit, më shumë sesa të afrojë lexuesin, duhet të mbajë gjallë gjuhën shqipe, sepse ne mendojmë ashtu siç flasim. Prandaj, shohim një degjenerim dhe degradim të të menduarit në shqip, sepse shqipja nuk po arrin të mbahet. Dhe i vetmi komunitet që mund ta mbajë shqipen është ai i shkrimtarëve,” deklaroi Koloreto Cukali, kryetar i jurisë.
Romani më i mirë i vitit, mes pesë kandidaturave, u shpall ai i Besnik Mustafajt me veprën “Fati i marrë”, ndërsa vëllimi më i mirë me tregime ishte “Dashnia asht kryevepër” i autorit Shpëtim Kelmendi.
“Marrja e një çmimi jep rast për debat për letërsinë dhe debati është i domosdoshëm për të zhvilluar një letërsi të mirë dhe cilësore,” tha Besnik Mustafaj, shkrimtar.
Vepra më e mirë eseistike-studimore iu dha studiuesit Pëllumb Xhufi me veprën “Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar”.
Për letërsinë më të mirë për fëmijë u vlerësua shkrimtarja Lediona Braho me botimin “Kroni dhe pulebardhat”.
Entela Tabaku mori çmim për vëllimin më të mirë poetik, me “Qeramikjana”, ndërkohë që vlerësimi për përkthimin më të mirë këtë vit shkoi për Ana Koven me veprën “Daullja prej llamarine” të autorit Günter Grass.





