Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, ka shprehur shqetësime serioze për sigurinë e Evropës mes sfidave të vazhdueshme rajonale dhe globale.
Gjatë një diskutimi në Parlamentin Europian, shefi i NATO-s bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë mes bllokut dhe aleancës veriatlantike, në adresimin e kërcënimeve dhe përpjekjeve destabilizuese.
“Jam thellësisht i shqetësuar për situatën e sigurisë në Evropë. Ne nuk jemi në luftë, por nuk jemi as në paqe”, tha Rutte.
Shefi i NATO-s tha se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe ushtarake të Evropës është gjithashtu thelbësor.
Sa i takon situatës në Ballkanin perëndimor, Rute veçoi situatën në Bosnjë e Hercegovinë dhe tensionet mes Kosovës e Serbisë.
“Jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kyçe. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar sepse është fqinjësi kryesore për ne”, tha shefi i NATO-s.
NATO ka prani ushtarake në Kosovë përmes misionit të saj paqeruajtës, KFOR dhe gjatë tensioneve në veri, aleanca vazhdimisht ka paralajmëruar se është e gatshme të ndërhyjë nëse e sheh të nevojshme./vizionplus.tv





